Secondary Adv

Udhëzimi për Skemën Kombëtare në Bujqësi botohet në FZ, procedurat e aplikimit për 12 masat

Janë publikuar kriteret dhe procedurat për përfitimin e fondeve nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026, duke hapur aplikimet për fermerët.

Udhëzimi nr. 8, datë 14 maj 2026, i firmosur nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, përcakton administrimin e fondit të Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural për vitin 2026. Dokumenti detajon kriteret, procedurat dhe afatet për fermerët, subjektet agro-përpunuese dhe investitorët ruralë që synojnë të përfitojnë mbështetje financiare.

 

Aplikimet deri më 26 qershor

Sipas udhëzimit, aplikimet do të qëndrojnë të hapura nga 25 maji deri më 26 qershor 2026. Për masat direkte, aplikimi kryhet online në portalin e-Albania, ndërsa për masat që lidhen me investimet, dokumentacioni duhet të dorëzohet fizikisht pranë Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).

 

Skema ruan mbështetjen për sektorin e blegtorisë. Fermerët me të paktën pesë lopë ose mëshqerra të matrikulluara mund të përfitojnë deri në 12 mijë lekë për krerë, ndërsa për delet dhe dhitë subvencioni arrin deri në 1,500 lekë për krerë. Për bletarinë mbështetja shkon deri në 2 mijë lekë për zgjua, ndërsa për herë të parë përfshihen edhe fermat e derrave me pagesa deri në 7 mijë lekë për dosë ose paradosë të matrikulluar.

 

Mbështetje për prodhimin organik dhe certifikimet

Një pjesë e rëndësishme e fondit do të orientohet drejt bujqësisë së qëndrueshme. Fermerët që përdorin metoda biologjike për kontrollin e dëmtuesve në sera dhe tunele plastike mund të përfitojnë deri në 70 për qind të kostove të materialeve biologjike dhe insekteve të dobishme.

 

Po ashtu, prodhuesit që kalojnë në bujqësi organike do të mbështeten me pagesa nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë për fermë, sipas fazës së certifikimit. Financim do të ketë edhe për certifikimin Global GAP, standard i rëndësishëm për eksportet drejt tregjeve europiane.

 

Subvencione sipas sipërfaqes dhe investime për të rinjtë

Fermerët që kultivojnë të paktën 3 hektarë tokë mund të përfitojnë deri në 10 mijë lekë për hektar. Për sipërfaqet mbi 10 hektarë, subvencioni përgjysmohet, me përjashtim të Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor.

 

Ndërkohë, fermerët e rinj nën moshën 40 vjeç mund të financohen deri në 70 për qind të investimit, me një tavan maksimal prej 1 milion lekësh. Mbështetja përfshin ngritjen e fermave, blerjen e kafshëve, ndërtimin e serrave, pajisjet moderne dhe teknologjitë inovative.

 

Për ndërtimin ose rikonstruksionin e staneve, subvencioni arrin deri në 3 milionë lekë për subjekt, ndërsa për mekanizimin bujqësor fermerët mund të përfitojnë deri në 500 mijë lekë për blerjen e traktorëve të vegjël, motokultivatorëve, sistemeve të ujitjes, pajisjeve të bletarisë dhe makinerive për pemëtari, ullishtari apo bujqësi precize.

 

Kontrolle më të forta dhe masa ndëshkuese

Udhëzimi përcakton se përfituesit duhet të kenë NIPT aktiv, të kenë shlyer detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe të mos rezultojnë debitorë ndaj AZHBR-së apo Ministrisë së Bujqësisë. Gjithashtu, investimet duhet të realizohen vetëm me mallra dhe pajisje të reja, ndërsa nuk mund të nisin para nënshkrimit të kontratës me AZHBR-në.

 

Një risi e këtij viti është forcimi i kontrolleve administrative dhe verifikimeve në terren. Aplikantët që deklarojnë sipërfaqe më të mëdha se ato të konstatuara dhe përfitojnë padrejtësisht mbi 20 për qind të subvencionit do të përjashtohen nga skemat mbështetëse për tre vjet dhe do të detyrohen të kthejnë fondet e marra.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat